ASK-ja ka bërë përgatitjet e duhura për procesin “Peer Review”
Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) kanë pritur ekipin e ekspertëve të angazhuar nga Eurostati për vlerësimin e Sistemit Statistikor të Kosovës “Peer Review” 2025.
Ekipi ishte në përbërje të Jean-Michel Durr (kryesues, nga Franca), Tina Steenvoorden (anëtare nga Sllovenia), Pierre Bischoff (anëtar nga Eurostati), si dhe dy vëzhgues Liliana Mititiuc nga Eurostati dhe Edin Šabanovic nga Bosnje dhe Hercegovina). Misioni i ekspertëve për “Peer Review” do të qëndrojë në Kosovë gjatë gjithë javës.
ASK-ja si koordinatore e Sistemit Statistikor të Kosovës (ASK-BQK-MFPT) tashmë ka bërë përgatitjet e duhura për procesin “Peer Review” që është një proces mjaft të rëndësishëm i vlerësimit për integrim ndërkombëtar.
Vlerësimi i Sistemit Statistikor të Kosovës përmes procesit “Peer Review” ka një rëndësi thelbësore për ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë, besueshmërisë dhe saktësisë së statistikave zyrtare.
Në një kohë kur qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare mbështeten gjithnjë e më shumë në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna, nevoja për një vlerësim të pavarur dhe rigoroz të sistemeve statistikore është bërë më e rëndësishme se kurrë.



