ASK-ja: Qeveria për tre muaj shpenzoi 511.8 milionë euro

02 qershor 2023 | 12:30

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar llogaritë qeveritare për tremujorin e parë 2023 (TM1), ku gjithsej të hyrat e qeverisë së përgjithshme ishin 675.8 milionë euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishin 557.6 milionë euro.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (63.7 për qind) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (16.7 për qind); transfertat e tjera aktuale (11.9 për qind); pagesat për prodhimet jo-tregtare (3.7 për qind); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Gjithsej shpenzimet e qeverisë së përgjithshme në TM1 2023 ishin 511.8 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e vitit paraprak (TM1 2022), që ishin 459.7 milionë euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (34.5 për qind); kontributet sociale dhe përfitimet (29.0 për qind); konsumi i ndërmjetëm (12.5 për qind); subvencionet (11.6 për qind); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banorët e Graçanicës, një nga gjashtë komunat e banuara me…