
‘Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet’, Osmani nesër dërgon komentet e saj në Kushtetuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, proces ky po tejzgjatet.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Kupina nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e komenteve, mirëpo tha se qëndrimi i presidentes është që askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, ka thënë Kupina për “Express”.
Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime. Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha në seancën 30 gushtit e kishte konsideruar të mbyllur seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Kjo e kishte shtyrë Listën Serbe që t’i drejtohet Kushtetueses.