Asllani: Çdo petale e lulekuqes tregon një krim lufte që Serbia ka kryer në Kosovë

14 janar 2026 | 08:01

Aktivisti Adnan Asllani ka folur për simbolikën e lulekuqes, e cila sipas tij përfaqëson gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.

Asllani theksoi se lulekuqja, nëpërmjet katër petaleve të saj, simbolizon katër format e gjenocidit:

“Njëra petale paraqet vrasjet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, ku mbi 10 mijë shqiptarë të moshave dhe gjinive të ndryshme u vranë mizorisht”, u shpreh ai.

Sipas tij, petalja e dytë përfaqëson mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës, ndërsa petalja e tretë simbolizon spastrimin etnik, ku më shumë se 1 milion shqiptarë u dëbuan me dhunë nga Kosova në periudhën e luftës.

“Petalja e katërt paraqet shkatërrimin e objekteve të banimit, të kulturës, të religjionit dhe krejt trashëgimisë kulturore e identitetit shqiptar, të cilat u dëmtuan dhe u shkatërruan gjatë luftës”, shtoi Asllani.

Ai gjithashtu theksoi se në mes të lulekuqes, në vend të kokrrave të zeza, janë paraqitur silueta të burrave, grave, vajzave dhe djemve – viktima të gjenocidit – të vendosura në formë rrethore, të cilët së bashku simbolizojnë kërkimin për drejtësi.

Asllani përfundoi se ky simbol është kujtesë e përhershme për krimet e kryera dhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po bëhen 27 vjet nga kur një nga masakrat më…