Asociacioni i Komunave të Kosovës akuzon Ministrinë e Financave për bllokim të projekteve komunale

29 qershor 2025 | 14:49

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të fundit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), e cila u ka kërkuar komunave të ndalojnë proceset e vlerësimit të pronës komunale për qëllime këmbimi gjatë periudhës zgjedhore.

Në një deklaratë për Telegrafin, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e quajti këtë kërkesë “të papranueshme, arbitrare dhe të pabazuar në ndonjë dispozitë ligjore”.

Sipas tij, vlerësimi i pronës është proces teknik dhe përgatitor, që nuk përfshin vendimmarrje politike dhe për këtë arsye nuk bie nën kufizimet e periudhës zgjedhore.

“MFPT, përmes kësaj ndërhyrjeje të paarsyeshme, po cenon drejtpërdrejt autonominë funksionale dhe kompetencat e garantuara ligjërisht të pushtetit lokal”, tha Ibrahimi, duke paralajmëruar pasoja serioze për zhvillimin komunal.

Ai theksoi se ndalimi i këtyre proceseve administrative mund të krijojë barriera burokratike të qëllimshme, që do të paralizojnë punën e komunave deri në mars të vitit 2026, duke vonuar projektet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

AKK vlerëson se kjo qasje e Ministrisë përbën shkelje të parimeve të decentralizimit dhe dëmton interesin publik.

Ibrahimi kërkoi që MFPT të tërheqë menjëherë këtë udhëzim, të ndalojë çdo përpjekje për ndërhyrje në proceset komunale dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë vetëqeverisjen lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Pushimet ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme.…