
Astronomja nga Vushtrria fiton çmim për propozimin më të mirë doktorature në shkencat planetare në ShBA
Astronomja shqiptare, Pranvera Hyseni, ka shënuar një arritje të veçantë në Universitetin e Kalifornisë, “Santa Cruz”, duke fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare.
Ky vlerësim i lartë, i cili jepet vetëm një herë në vit për projektin kërkimor më premtues, shoqërohet me një grant prej 3 000 dollarësh dhe konsiderohet ndër nderimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.
Hulumtimet e Hysenit fokusohen tek asteroidët dhe trupat e vegjël të Sistemit Diellor, veçanërisht ata që përmbajnë ujë dhe përbërje organike. Ajo analizon proceset e transformimit të materialeve dhe kripërave që përmbajnë azot, duke kombinuar eksperimentet laboratorike me vëzhgime përmes teleskopëve dhe modelime teorike. Këto studime ofrojnë të dhëna të rëndësishme për kuptimin e shpërndarjes së ujit dhe mundësive të jetës në fazat e hershme të sistemit tonë diellor.
“Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi se pasioni dhe kureshtja për shkencë nuk njohin kufij gjeografikë”, ka thënë Hyseni, duke falënderuar komisionin vlerësues dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme.
Suksesi i saj përbën një tjetër faqe të ndritur për shkencën kosovare dhe një frymëzim të fuqishëm për të rinjtë që synojnë të ndjekin rrugën e tyre në fushat STEM.