ATK evidenton 157 punëtorë të padeklaruar gjatë zbatimit të Planit të Përbashkët Operativ
Administrata Tatimore e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në mbështetje të Planit të Përbashkët Operativ të iniciuar nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Kundër Trafikimit me Njerëz, ka realizuar aktivitete inspektuese në biznese me rrezik të shtuar për trafikim me qenie njerëzore, duke u fokusuar në qendrat e mirëmbajtjes trupore/masazhit dhe objektet e gastronomisë/ lokalet e mbrëmjes me muzikë live.
Në njoftim thuhet Plani është zhvilluar në linjë me Strategjinë Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe ka përfshirë edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) si dhe Inspektoratin e Punës, duke siguruar koordinim të plotë ndërinstitucional.
Gjatë datave 10-14 nëntor 2025, ATK ka angazhuar 30 ekipe inspektuese (60 inspektorë), të cilat kanë realizuar 106 inspektime në të gjitha regjionet e Republikës së Kosovës.
Nga këto inspektime janë konstatuar: 20 raste të mosfiskalizimit; 35 raste të moslëshimit të kuponëve fiskal; 157 punëtorë të paregjistruar; 1 rast me mall pa dokument.



