ATK-ja: Deklarimet e sakta ndihmojnë në planifikimin e kontrolleve dhe forcimin e sistemit tatimor
Administrata Tatimore e Kosovës ka organizuar seminarin informues me temë “Deklarimi vjetor i tatimeve dhe raportimi i pasqyrave financiare”, ku u theksua rëndësia e raportimit të saktë dhe bashkëpunimit me profesionistët për forcimin e sistemit tatimor, raporton Ekonomia Online.
Aty u theksua se përmbushja e drejtë e obligimeve tatimore ndikon drejtpërdrejt në hartimin e politikave fiskale, planifikimin e kontrolleve dhe vendimmarrjen institucionale.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, ka thënë se institucioni mbledh miliona deklarime gjatë vitit, të cilat shfrytëzohen jo vetëm nga ATK-ja, por edhe nga institucione të tjera shtetërore.
Ai ka theksuar se raportimi i drejtë dhe i saktë është thelbësor për krijimin e politikave fiskale, planifikimin e kontrolleve dhe furnizimin me informata të sakta për institucione si Prokuroria dhe Policia, duke shtuar se vendimet më të mira merren mbi bazën e të dhënave të sakta.
“ATK-ja mbledh miliona deklarime gjatë vitit dhe këto deklarime shfrytëzohen dhe përdoren prej shumë institucioneve të tjera, jo vetëm prej ATK-së. Prandaj po dua të them se sa është i rëndësishëm raportimi i drejtë dhe i saktë vjetor që ju bëni si profesionistë në ATK. Me një raportim të drejtë apo të saktë, jo vetëm që ne mund të krijojmë politika fiskale si shtet, por ne si administratë tatimore mund t’i planifikojmë kontrollet e ndryshme ose shqyrtimin e problematikave të ndryshme. Po ashtu edhe institucionet e tjera siç janë Prokuroria e Shtetit, Policia, pra të gjitha institucionet mund të furnizohen me informata të drejta dhe të sakta, e pastaj të marrin vendimet e duhura. Pra, vendimet e mirëinformuara janë vendimet më të sakta për nga natyra, për shkak se ato bëhen në bazë të analizave të të dhënave të sakta që ju i dërgoni. Pra, kjo tregon rëndësinë e rolit tuaj si kontabilist, auditor ose si përfaqësues tjerë të biznesit që jeni këtu”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq kontabilistja dhe auditorja e certifikuar në ATK, Elvira Ibrahimi Hoti, ka pohuar se përmbushja tatimore rritet jo vetëm përmes deklarimit, por edhe përmes ndërtimit të besimit, që sipas saj, kontribuon në buxhetin e shtetit dhe më pas kthehet në të mirë të qytetarëve.



