ATK-ja dhe AKI-ja me kapitull të ri bashkëpunimi për mbrojtjen e sigurisë ekonomike të vendit
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, në një takim të parë zyrtar ndërmjet dy institucioneve.
Në një komunikatë për medie të ATK-së është thënë se ky takim shënon hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin institucional, siç thuhet, me qëllim fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta për luftimin e dukurive negative që dëmtojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Bashkëpunimi mes ATK-së dhe AKI-së pritet të tejkalojë objektivin e ngushtë të parandalimit të evazionit fiskal, duke u shtrirë në adresimin e fenomeneve të tjera që rrezikojnë integritetin ekonomik dhe shoqëror të vendit”.
“Të dy drejtuesit nënvizuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e interesit publik. U theksua po ashtu se ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit qytetar dhe në ndërtimin e një sistemi më të drejtë e më të sigurt për të gjithë”, ka njoftuar ATK-ja.



