ATK-ja inkasoi 13 milionë euro më pak të hyra

11 prill 2020 | 08:14

Vendimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve për shtyrje të afatit për deklarim dhe pagesave të tatimeve deri më 30 prill ka ndikuar në mosrealizimin e të hyrave edhe për muajin mars.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se rreth 13 milionë euro janë të hyrat të cilat janë reduktuar si rezultat i situatës së me pandeminë koronavirus.

“Tashmë siç jeni informuar edhe ju, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve ka marrë vendim për zgjatje të afatit për deklarim dhe pagesave të tatimeve deri më 30 prill, gjë që kjo u ka mundësuar bizneseve që t’i shtyjnë deklarimet dhe pagesat e tatimeve.

Sigurisht se disa prej tyre mund të kenë vështirësi financiare dhe disa pasi që ju ka dhënë kjo e drejtë kanë zgjatur të drejtën e tyre për t’i paguar tatimet, gjë që kjo ka reduktuar në mosrealizim të të hyrave edhe për muajin mars, mund të themi se rreth 13 milionë euro janë të hyrat të cilat janë reduktuar si rezultat i situatës së krijuar”, ka thënë ai.

Murtezaj u shpreh se trendi i të hyrave para fillimit të pandemisë ishte i kënaqshëm, teksa thotë se trendi filloi të shënojë rënie. “Deri më 17 mars, ne kemi pasur një trend të të hyrave të kënaqshëm, në raport me planin e parashikuar, ku deri me këtë datë kemi pasur tejkalim të planit rreth 3 për qind dhe të të hyrat më tepër sesa periudha e njëjtë, pra 1 janar deri më 17 mars, kemi pasur 11.2 për qind më tepër sesa periudha e njëjtë e vitit kaluar. Ndërsa, pas kësaj date, ky trend ka filluar të zbehet të shënojë rënie”, ka thënë Murtezaj.

Një lehtësim për bizneset në këtë kohë, ishte krijimi i një aplikacioni nga ATK-ja. Krejt kjo me qëllim që bizneset pa pasur nevojë të bëjnë aplikime nëpër sportele. “Në këtë drejtim, ndër vite kemi lehtësira të ndryshme, si në aspektin e deklarimit dhe pagesave të tatimeve, tani më mbi 90 për qind e bizneseve bëjnë deklarime tatimore përmes sistemit online dhe njëkohësisht ata mund edhe të bëjnë pagesa pa pasur nevojë të shkojnë nëpër sportele bankare”.

“Në kuadër të saj, tanimë këtë kohë ku na është kërkuar t’iu dalim në ndihmë për të menaxhuar procesin e të drejtës për të operuar bizneset dhe lëvizje të qytetarëve, ne si institucion kemi marrë përsipër që të zhvillojmë aplikacionin me qëllim që bizneset pa pasur nevojë bëjnë aplikime nëpër sportele të ndryshme, që përmes aplikacionit online, ato mund të pajisen punëtorët me vërtetime tatimore që i lejon lëvizjet e tyre në orarin e kufizuar”, ka thënë Murtezaj.

Dalja nga kriza është sfidë e madhe për vet shtetin. Por, i pari i ATK-së, thotë se dalja nga kjo krizë, mund të bëhet në disa mënyra, ku specifikon futjen në borxhe të reja ose me kredi të buta, raporton EO. “Ne dihet se kemi një buxhet solid dhe kapacitetet tona janë shumë të limituara me qëllim që t’i ndihmojmë ekonominë e vendit, por sigurisht se ka zgjidhje tjera. E mira e kësaj është se ne borxhin publik e kemi në nivel shumë të ulët, gjë që krijohet qeverisë që të hyjë në borxhe të reja, në mënyrë që qoftë me prodhim të letrave me vlerë ose me kredi të buta që mund të merren nga institucionet tjera, të ndihmojmë sa më shumë ekonominë në mënyrë që dëmi i kësaj pandemie të jetë sa më i vogël, sepse duke e ndihmuar ekonominë, e ndihmojmë shtetin”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot u bënë 21 vjet nga rënia e luftëtarit dhe…