ATK-ja: Paguaj tatimin, fuqizo shtetin

09 tetor 2023 | 12:37

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të: regjistrohen, mbajnë dokumentacion, deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.

Sipas ATK-së, bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ky institucion ka hartuar planin e veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH, përfshirë të gjithë faktorët me ndikim në kreditimin e TVSH-së.

Përmes këtij plani, ATK-ja do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk deklarojnë saktë kreditimin e TVSH-së.

“Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë personave të tatueshëm që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të: Deklaroni dhe paguani saktë tatimin; Mbani dokumentacionin sipas Ligjit; Deklaroni furnizimet tuaja duke aplikuar saktë normën e TVSH-së; Zbritjen e TVSH-së ta bëni saktë sipas Ligjit të TVSH-së; Aplikoni ngarkesën e kundërt për TVSH, ashtu siç kërkohet me Ligj; etj. Administrata Tatimore e Kosovës, inkurajon të gjithë personat fizikë afarist dhe personat juridikë t’u përgjigjen saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor”, ka njoftuar ATK-ja, duke theksuar se me kryerjen e detyrimeve tatimore, personat të cilët merren me aktivitete afariste kontribuojnë direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dikur ishin “Katër Fantastike” duke krijuar pritshmëri që të gjithë…