Atletico, testi i parë serioz për Liverpoolin. Dortmundi sfidon PSG-në

18 shkurt 2020 | 11:16

Gara më e fortë në futboll, Liga e Kampionëve, rikthehet sonte (e martë) me dy superndeshje. Kampioni i Evropës, Liverpooli, është mysafir i Atletico Madridit në “Wanda Metropolitano”, aty ku u kurorëzuan me titullin e më të mirit në vitin e kaluar.

Kjo përballje vlerësohet e jashtëzakonshme për ta parë se a është e gatshme skuadra nga Madridi për ta ndalur rrugëtimin e Liverpoolit drejt finales së tretë radhazi, apo Jurgen Klopp do ta vazhdojë shkëlqimin edhe në këtë garë sikurse në edicionin e kaluar dhe në Premierë Ligë këtë edicion.

Atletico arriti në mesin e 16 skuadrave më të mira si e dyta e Grupit D pas Juventusit, por mbi Bayer Leverkusenin dhe Lokomotiv Moskën. Në La Liga skuadra e Diego Simeones nuk është në formën më të mirë pasi ka 12 pikë më pak se Real Madridi. Një tjetër lajm i keq për klubin spanjoll është se shtatë lojtarë rrezikojnë të mungojnë në ndeshjen e së martës ndaj “Reds”.

Në anën tjetër, Liverpooli nuk ka lëndime dhe është afër titullit të kampiones në Angli, prandaj do të luajë më lirshëm në Ligën e Kampionëve. Fazën e grupeve Liverpooli e mbylli në vendin e parë të Grupit E me 13 pikë. Në ndeshjen tjetër Borussia Dortmund do ta presë Paris Saint-Germain në Gjermani. Kjo do të jetë përballja e tretë në mes të këtyre dy klubeve, kurse dy ndeshjet e para në kuadër të fazës së grupeve në edicionin 2010-11 kishin përfunduar baras. Dortmundi grumbulloi 10 pikë në gjashtë ndeshjet e tyre të Grupit F këtë sezon për të përfunduar në vendin e dytë pas Barcelonës. Nuk do të jetë aspak lehtë për skuadrën e Lucien Favre që t’i eliminojë francezët e PSG-së, por ata në këtë ndeshje hyjnë pas fitores që e arritën të premten kundër Eintracht Frankfurtit (4-0).

Jadon Sancho ishte përsëri në rezultatin për gjigantët gjermanë, ndërsa sulmuesi adoleshent Erling Braut Haaland ka qenë në formë mahnitëse që nga arritja në janar, duke shënuar nëntë herë në gjashtë paraqitje për klubin e tij të ri. PSG-ja të shtunën luajti baras 4-4 me nga Amiens në Ligën 1, por 13 pikë larg vendit të dytë.

Liga e Kampionëve është gara që kjo skuadër synon ta fitojë në këtë edicion dhe në fazën e grupeve kanë qenë mbresëlënëse paraqitjet e tyre, duke e mbyllur në vend të parë me pesë pikë para Realit. Gjermanët në këtë ndeshje kanë mungesë Marco Reus dhe Thomas Delaneyn, derisa në dyshim është Julian Brandt. Colin Dagba dhe Abdou Diallo nuk janë të gatshëm për francezët, kurse në dyshim është Kimpembe.

Të martën takohen:
21:00 Atletico Madrid – Liverpool
21:00 Borussia Dortmund – PSG

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur jemi në prag të festimit të dymbëdhjetëvjetorit të pavarësisë…