Aty ku loja mban era barut… Si është fëmijëria në kohë luftë

13 korrik 2025 | 12:40

Andrii, 8 vjeç dhe Maksym, 6, jetojnë në fshatin Kalynove, shumë pak kilometra larg kufirit rus dhe ku pasojat e luftës janë kudo.

Ata janë fëmijë, por gjithçka e shkatërruar rreth tyre i bën të ndihen si të rritur për të mbijetuar.

“Para luftës luanin me makina. Tani, vetëm armë: pushkë, granata… Nuk ka më fëmijëri. Vetëm mbijetesë”, tha Varvara Tupkalenko, banore në Kalynove.

Në vend që të argëtohen në kënde lojërash, ata qëndrojnë mbi predha ose improvizojnë baza ushtarake.

“Kanë ngritur një postbllok. I kontrollojnë njerëzit kur kalojnë, luajnë rolin e mbrojtësve dhe të armiqve. Dhe armiku është gjithmonë rusi”, shtoi Tupkalenko.

Që prej pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, Kalynove është kthyer në një zonë të braktisur.

Babai i tyre, Yurii, ndërroi jetë në vitin 2023. Varvara tani është vetëm, përballë dhimbjes, përgjegjësisë dhe vendimeve të vështira.

“Është e vështirë, emocionalisht dhe fizikisht me të gjitha këto që po ndodhin. Fëmijëve u mungon babai i tyre. Djali im më i vogël shpesh zgjohej në orën një të mëngjesit dhe më kërkonte t’i tregoja babain e tij”, tha Tupkalenko.

Kur bombardimet shtohen në fshat, Varvara i çon në qytetin më të afërt, Kharkiv. Por edhe atje nuk ka siguri, pasi netët janë të mbushura me frikë nga shpërthimet.

“Kur i çoj në qytet, më luten të kthehemi në fshat. Nuk ndihen mirë. Ka shumë zhurma, frikë. Këtu ndihen më të lirë, megjithëse është më e rrezikshme”, sqaroi Tupkalenko.

Ata ende e kërkojnë një copëz normaliteti. Mësimet i ndjekin online nëse ka internet dhe energji. Por kurrë s’kanë hyrë në një klasë të vërtetë.

Duke qëndruar përpara një fotoje të varur në murin e shtëpisë së tyre, Andrii, djaloshi 8-vjeçar, flet për vdekjen e babait të tij shumë thjesht, por me krenari.

“Ai shkoi në luftë, shërbeu, po merrte pjesë në një sulm dhe plumbat e kapën. Po të mos kishte marrë pjesë në sulm, nuk do të kishte vdekur”, tha Andrii.

Psikologët thonë se trauma e luftës lë gjurmë të thella. Jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Fëmijët rriten me frikë dhe me zemërim.

“Lufta i bën fëmijët të humbasin aftësinë për të kuptuar ndjenjat. Nuk ndiejnë më empati. Nuk arrijnë të kuptojnë dhimbjen e tjetrit”, tha Kateryna Holtsberh, psikologe.

Edhe pse në një moshë të vogël, Andrii dhe Maksym e kanë të qartë se kush është armiku i tyre. Sipas tyre, fajtorët janë ata që vranë babain.

“Thonë: ‘Rusët janë vrasës. Ne do të shkojmë në Donbas dhe do të hakmerremi për babain tonë’”, tha Tupkalenko.

Fëmijëria për këta vogëlushë është kthyer në një fushë beteje ku edhe loja më e pafajshme mund të mbajë erën e barutit./ Klan News

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i shpëtoi për pak vdekjes…