
Auditimi evidenton mangësi serioze në procesin e lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e lejeve të ndërtimit në Komunën e Fushë Kosovës”. Auditimi ka vlerësuar procesin që nga dhënia e kushteve ndërtimore e deri te pajisja me çertifikata të përdorimit. Auditimi është fokusuar në vlerësimin e përputhshmërisë me planifikimin hapësinor, përdorimin e mekanizmave të kontrollit në dispozicion, si dhe garantimin e sigurisë për banorët që vendosen në këto objekte.
Auditimi ka konstatuar mangësi serioze në procesin e lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës si: mos miratimi i Planit Zhvillimor Komunal, mos hartimi i planeve të detajuara rregulluese si dhe lëshimi i lejeve ndërtimore sipas hartës zonale. ZKA ka identifikuar se, Komuna ka lejuar devijime nga kushtet ndërtimore, si mungesë e hapësirave gjelbëruese apo tejkalim i sipërfaqeve të ndërtimit. Po ashtu, kishte vonesa të konsiderueshme në lëshimin e kushteve ndërtimore nga katër deri në 131 ditë. Po ashtu në disa raste lejet ndërtimore kishin devijime nga parametrat e përcaktuara, duke përfshirë rritje të sipërfaqes ndërtimore, tejkalim të numrit të njësive banesore dhe mungesë të hapësirave gjelbëruese apo vend parkimeve.
Rezultatet e auditimit tregojnë se inspektorët komunalë kanë inspektuar një pjesë shumë të vogël të punimeve, ndërsa pjesën tjetër ia kanë lënë investitorëve. Në vend që të forcojë mbikëqyrjen, inspektorati ka vepruar pa plan pune, pa ndarje të qartë të detyrave si dhe pa databazë për të gjurmuar ndërtimet.
ZKA, ka konstatuar dallime midis sipërfaqes se ndërtuar, kushteve dhe lejeve ndërtimore. Kishte raste kur sipërfaqja ndërtimore në leje ishte më e madhe se ajo e miratuar në kushte, duke shkuar deri në 6,158 m². Ndërsa, kishte raste të tjera ku sipërfaqja në leje ishte më e vogël, duke variuar nga 235 m² deri në 2,158 m².
Komuna nuk ka respektuar as afatet ligjore për lëshimin e kushteve dhe lejeve ndërtimore duke shkaktuar vonesa deri në 250 ditë, si dhe ka lëshuar shumë më pak certifikata përdorimi sesa leje ndërtimore.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se Komuna e Fushë Kosovës nuk ishte treguar efikase dhe efektive për të siguruar përputhshmërinë e ndërtimeve të larta banesore me planifikimet hapësinore. Po ashtu komuna nuk ka zgjeruar infrastrukturën publike (çerdhe, shkolla, qendra mjekësore) në përputhje me rritjen e numrit të ndërtimeve.
Për të siguruar që procesi i lejeve ndërtimore zhvillohet në mënyrë sa më efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë dhjetë rekomandime.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e lejeve të ndërtimit në Komunën e Fushë Kosovës”, e gjeni këtu.