Auditori i Përgjithshëm pjesë e takimit vjetor të Komitetit të INTOSAI-it për ngritje të kapaciteteve

02 korrik 2019 | 12:08

Në Tokio të Japonisë po mbahet takimi vjetor i Komitetit të INTOSAI-it për Ngritje të Kapaciteteve, ku po merr pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, dhe zëvendësauditori i përgjithshëm, Ilir Salihu.

Temë kryesore e takimit është “Eksplorimi i kapaciteteve për të mbështetur profesionalizmin e Institucioneve Supreme të Auditimit”.

Përveç temës kryesore, po diskutohet edhe për katër shtyllat kryesore të profesionalizmit: pavarësia e institucioneve supreme të auditimit dhe ndikimi i tyre në menaxhimin më të mirë të fondeve publike; rëndësia e standardeve për të udhëhequr me profesionalizëm; komponenta e Burimeve Njerëzore si parakusht për një ISA profesionale; si dhe vlera dhe rëndësia e matjes së perfomancës së ISA-ve.

Në margjinat e kësaj ngjarje, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka zhvilluar takime të veçanta me homologët e tij nga vende të ndryshme të botës.

Fokusi kryesor i bisedës gjatë këtyre takimeve ishte integrimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në organizatat globale dhe rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit për sektorin publik. Po ashtu, është biseduar edhe për mundësitë e përfitimit nga programet profesionale si dhe mundësitë e shkëmbimit të përvojave bilaterale dhe ndërinstitucionale.

Në takimin vjetor të Komitetit të INTOSA-it për Ngritje të Kapaciteteve po marrin pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të botës.

Komiteti për Ngritje të Kapaciteteve është një nga katër organet kryesore të INTOSAI-it, i cili mbështet iniciativat për ndërtimin e aftësive dhe zhvillimin e kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit, përmes trajnimeve, asistencës teknike dhe aktiviteteve të tjera zhvillimore.

INTOSAI vepron si një organizatë profesionale ombrellë për institucionet supreme të auditimit dhe ka të anëtarësuar rreth 190 Institucione Supreme të Auditimit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA  Rrobat e reja, me stof…