Auditorja e Përgjithshme thekson rëndësinë e besimit dhe pavarësisë institucionale

04 dhjetor 2025 | 11:25

Nga 1 deri më 4 dhjetor 2025, në Dubrovnik të Kroacisë u mbajt Seminari Vjetor i Auditorëve ku morën pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe ndihmësauditori i përgjithshëm, Agron Fetiu.

Ky aktivitet u organizua nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë dhe bëri bashkë drejtues dhe zyrtarë të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian, përfshirë Sllovakinë, Maltën, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën si dhe përfaqësues shtetërorë të Kroacisë.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, mbajti një fjalë rasti në hapje të punimeve të Seminarit, ku vuri në dukje rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në forcimin e besimit të qytetarëve, domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë institucionale dhe sfidat me të cilat përballen. “Sot, më shumë se kurrë, qytetarët kërkojnë institucione që jo vetëm flasin për integritet, por e mishërojnë atë. Pavarësia nuk është vetëm kërkesë ligjore, por shpesh, provë guximi”, tha Spanca.

Duke iu referuar rezultateve të Barometrit Ballkanik, si një tregues i qartë i pavarësisë dhe profesionalizmit të institucionit, ajo tha se besimi i qytetarëve në punën e ZKA-së ka vazhduar të rritet. “Ne kemi punuar për të forcuar zërin tonë, profesionalizmin dhe lidhjen me publikun. Sfidat që hasim na motivojnë të zhvillohemi më tej, të mësojmë dhe t’i qëndrojmë besnik misionit tonë”, tha Spanca.

Ajo po ashtu nënvizoi nevojën për më shumë transparencë, komunikim më të qartë me publikun dhe forcim të sistemit të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve në sektorin publik.

Në mbyllje të fjalës së saj, Spanca theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe besimin se bashkërisht mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për qytetarët.

Programi i seminarit përfshiu prezantime dhe diskutime mbi sfidat metodologjike të auditimit, si dhe sesione për risitë në sistemin e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimin e financave publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thomas Markle, babai 81-vjeçar i Dukeshës së Sussex, është shtruar…