
Austri: Restorantet limitojnë kohën e qëndrimit të klientëve
Në Salzburg, gjithnjë e më shumë restorante po fillojnë të aplikojnë afate kohore për qëndrimin e mysafirëve, sidomos gjatë periudhave me fluks të lartë, si sezoni i festave. Kjo praktikë, që tashmë është e përhapur në shumë qytete evropiane, po bëhet më e zakonshme edhe në kryeqytetin e landit të Salzburgu.
Nëpërmjet sistemit të rezervimeve online, mysafirët duhet të përcaktojnë paraprakisht kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në restorant. Kjo i mundëson restoranteve të planifikojnë më mirë menaxhimin e tavolinave dhe të përballojnë numrin në rritje të klientëve.
Sipas përfaqësuesve të industrisë nga Dhoma e Tregtisë, kjo praktikë është më e përhapur në restorantet në qendër të qytetit dhe ato luksoze, që operojnë me orare të rezervuara përkatësisht me “slot”-e kohore. Një shembull është Zwettler’s Wirtshaus në Qytetin e Vjetër të Salzburgut, ku tavolinat zakonisht rezervohen për dy orë. Pronaria Elisabeth Gruber thotë se çdo mysafir që dëshiron të qëndrojë më gjatë duhet ta njoftojë këtë më parë gjatë rezervimit, shkruan ORF.
Gruber thekson se deri tani nuk ka hasur kritika nga klientët për këtë qasje, dhe beson se mysafirët e kuptojnë nevojën për këtë rregull. “Pronari duhet të bëjë fitim”, thotë ajo, duke shtuar se rezervimet e planifikuara mirë i lejojnë të gjithë të përfitojnë pa stres, përveç rasteve kur dikush zë një tavolinë pa rezervë të mëparshme për periudha më të gjata.
Përfitimet nga vendosja e afateve kohore përfshijnë rritjen e numrit të rezervimeve dhe lehtësinë në organizimin e punës, veçanërisht në periudha me shumë klientë, transmeton albinfo.ch.