Austria e nis me sukses Botërorin, fiton 3-1 ndaj Jordanisë

17 qershor 2026 | 08:37

Austria e ka nisur me fitore rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026, pasi në ndeshjen e parë të Grupit J mposhti Jordaninë me shifrat 3-1 dhe siguroi tri pikët.

Skuadra jordaneze hyri në fushë me shumë guxim dhe rrezikoi që në minutën e dytë, kur Ehsan Haddad përfitoi nga një top i mbetur brenda zonës, por tentativa e tij përfundoi shumë pranë shtyllës së djathtë. Në minutën e 17-të, Odeh Al Fakihouri provoi nga distanca me një goditje të rrezikshme, por Alexander Schlager bëri një ndërhyrje fantastike.

Megjithatë, ishte Austria që kaloi e para në avantazh. Në minutën e 21-të, Romano Schmid e kontrolloi në mënyrë të shkëlqyer një pasim pranë hyrjes së zonës dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në cepin e sipërm të portës për 1-0.

Jordania nuk u tërhoq dhe vazhdoi të sulmonte. Vetëm një minutë më pas, Ali Olwan iu afrua shumë golit të barazimit, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa. I njëjti lojtar provoi sërish në minutën e 34-t, por Schlager regjistroi edhe një pritje tjetër vendimtare.

Pas kthimit nga pushimi, këmbëngulja e Jordanisë dha rezultat. Në minutën e 50-të, Ali Olwan doli i vetëm përballë portës dhe nuk fali, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Austria reagoi shpejt dhe në minutën e 67-të mendoi se kishte rikthyer epërsinë. Pas një rrëmuje në zonë, topi shkoi te Marko Arnautovic, i cili nga afërsia e çoi në rrjetë për 2-1, por pas rishikimit me VAR, goli u anulua për prekje të topit me dorë gjatë aksionit.

Goli i dytë i Austrisë erdhi gjithsesi në minutën e 76-të, kur një krosim nga goditja e këndit u devijua në portën e vet nga Yazan Al Arab, duke i dhënë austriakëve avantazhin 2-1.

Kur gjithçka po shkonte drejt mbylljes me këtë rezultat, në zonën e Jordanisë u sinjalizua një prekje e topit me dorë dhe, pas verifikimit me VAR, arbitri akordoi penallti. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Arnautovic, i cili vulosi fitoren përfundimtare 3-1.

Falë këtij triumfi, Austria e nis në mënyrën më të mirë fazën e grupeve, ndërsa Jordania mbetet pa pikë, edhe pse zhvilloi një paraqitje të guximshme përballë favoritëve evropianë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pse u quajt Lufta e Ftohtë? A ishte e pashmangshme?…