Austria sërish në izolim të plotë

15 nëntor 2020 | 16:43

Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e Covid-19.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, u ka kërkuar austriakëve, që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri.

Ai ka thënë që shkollat do të mbyllen dhe studentët do të mësojnë nga shtëpia duke filluar nga dita e martë, kur masat e reja do të hyjnë në fuqi. Të premten, Austria ka raportuar një numër rekord prej 9 586 të infektuar me koronavirusin e ri.

Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare më parë këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191 000 raste, që nga fillimi i pandemisë dhe 1 661 vdekje të lidhura me Covid-19.

Deri më 6 dhjetor, sa është paraparë të zgjasin masat e reja, të gjitha dyqanet jo-thelbësore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura. Të gjithë qytetarëve u është thënë, që nëse ua lejojnë kushtet, të punojnë nga shtëpitë.

Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, ka thënë se ky është shansi i fundit për të ndaluar kolapsin e shërbimit shëndetësor.

Austria kishte vendosur masën e izolimit të saj të parë mbarëkombëtar në mars, gjatë valës së parë të pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli duket se po kalon një sezon të mallkuar. Trajneri…