
Automjet përfshihet nga zjarri në qendër të Prishtinës, reagim i shpejtë nga ekipet emergjente
Një automjet është përfshirë nga zjarri sot në orët e paradites në afërsi të ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar panik në mesin e kalimtarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion.
Rasti është konfirmuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit, e cila ka njoftuar se falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes profesionale të Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, zjarri është vënë nën kontroll në kohë rekord.
“Në bashkëpunim me punonjësit e Kryeqytetit dhe Policinë e Prishtinës, u bë e mundur sigurimi i perimetrit dhe menaxhimi i trafikut në zonën mjaft të frekuentuar”, thuhet në njoftim.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet janë të kufizuara vetëm në automjetin e përfshirë nga zjarri.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka vlerësuar se rasti dëshmon rëndësinë e gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar sigurinë publike në situata të papritura. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
Postimi: