Autoritetet gjermane: Irani duhet të ndalojë programin bërthamor ushtarak
Gjermania ka thënë se Irani duhet t’i japë fund “programit të tij bërthamor ushtarak” dhe të vërë arsenalin e tij të raketave balistike “nën kontroll”.
“Çdo zgjidhje diplomatike kërkon që Irani të ndalojë në mënyrë të verifikueshme programin e tij bërthamor ushtarak. Asnjë raketë balistike nuk mund të lëshohet nga Irani kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit dhe aktivitetet destabilizuese në rajon duhet të ndalen. Programi i raketave balistike duhet të vihet nën kontroll”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius në një konferencë për mediet.
Irani ka mohuar se programi i tij bërthamor është rreptësisht për energji paqësore dhe civile, pavarësisht shqetësimit ndërkombëtar për pasurimin e uraniumit në nivel të lartë. Negociatat në lidhje me të ardhmen e programit vazhdojnë, me Iranin që këmbëngul në ruajtjen e aftësive të pasurimit ndërsa kërkon lehtësim të sanksioneve.
Ndërkohë, programi i raketave balistike të Iranit është një pjesë integrale e doktrinës së tij mbrojtëse dhe është përshkruar nga udhëheqësit e tij si i panegociueshëm.
Para luftës 12-ditore të vitit të kaluar me Izraelin, inventari i raketave balistike të Iranit thuhej se ishte midis 2 500 dhe 3 000. Analistët kanë vlerësuar se arsenali është zvogëluar afërsisht përgjysmë gjatë konfliktit.
Më herët këtë muaj, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se programi raketor i Teheranit nuk është subjekt i negociatave tani apo në të ardhmen, duke e përshkruar atë si një “çështje mbrojtëse”.



