Autoriteti i Konkurrencës fillon monitorimin e tregut të karburanteve
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Republikën e Kosovës, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim.
Përmes këtij monitorimi, Autoriteti synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg. “Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore. Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë drejtimin dhe përmasën e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar gjithmonë në parimet e transparencës, funksionimit të rregullt të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga çmime të padrejta apo praktika që cenojnë konkurrencën në tregun e karburanteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Autoriteti u bën thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme; të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë; të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky proces monitorimi po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, ATK-në, Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës.



