
Avni Ajeti kritikon kryetarin Bulliqi dhe Kuvendin Komunal për mosreagim ndaj vetëvrasjes së dy ushtarëve të UÇK-së
Ish-luftëtari i lirisë, Avni Ajeti, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit garon për asamblist nga radhët e PDK-së me numrin 5 në listën zgjedhore, ka kritikuar qeverisjen komunale dhe kryetarin e saj, Shpejtim Bulliqi.
Ajeti ka akuzuar Kuvendin Komunal, i cili dje përmbylli mandatin katërvjeçar me miratimin e buxhetit, për mosadresim të gjendjes së rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Podujevës. Në veçanti, ai ka theksuar vetëvrasjen e dy ish-ushtarëve të UÇK-së, që ndodhi brenda 24 orëve, e që nuk u përmend fare nga asamblistët, kryesuesi i kuvendit apo kryetari i komunës.
Reagimi i plotë i Ajetit:
“Dje Kuvendi Komunal i Podujevës mbylli mandatin 4-vjeçar me miratimin e buxhetit, por brenda vetëm 24 orëve qyteti u trondit nga dy vetëvrasje të ushtarëve të UÇK-së. Dhe prapë asnjëri nga këshilltarët, as kryesuesi i Kuvendit, e as kryetari, nuk patën guximin e as dinjitetin të thonë dy fjalë në foltore për këtë tragjedi.
Është turp i madh, është fyerje e rëndë për sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për këtë vend. Kryesuesi i Kuvendit u soll si noter i pushtetit, duke heshtur mbi varret e bashkëluftëtarëve, duke mos gjetur asnjë minutë për të nderuar dhimbjen e familjeve.
Por më i rëndi është vetë kryetari i Komunës, i cili në vend se të përulej para asaj sakrifice, pati guximin të fyejë një ushtar duke tentuar ta mohojë se ai ishte pjesëtar i UÇK-së. Kjo nuk është vetëm mungesë respekti, kjo është përdhosje e historisë, është tradhti morale ndaj gjakut të derdhur për lirinë që sot e gëzojnë edhe ata që e përçmojnë.
Ky Kuvend do të mbahet mend jo për vendimet që mori, por për heshtjen e turpshme dhe fyerjen e papranueshme ndaj atyre që na dhanë lirinë.”