
‘Avni Dehari e ka uzurpuar postin e kryesuesit të seancës, veprimet e tij janë jokushtetuese’
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.
Ai ka thënë se deputeti i LV-së e ka uzurpuar postin e kryesuesit të Kuvendit dhe e ka nxjerr nga binaret seancën konstituive të Kuvendit.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Hasani ka thënë se sjellja e Deharit është në kundërshtim më Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mënyra se si po ndodh drejtimi i seancës është tërësisht jo kushtetuese dhe jo ligjore për shkak se z Dehari e di që e ka një protokoll që duhet të zbatoj, i cili i caktuar më 8 prill nga forcat politike me kryetarin e vjetër siç e përcakton Rregullorja e punës së Kuvendit, Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitet 2014 që është nënshkruar nga ana ime. Ai e ka uzurpuar mikrofonin dhe propozon mocione procedurale për me e ndërruar mënyrën e votimit. Asnjë mocion, asnjë diskutim nuk mund të zhvillohet në seancën konstituive”, ka thënë Hasani.
Ai ka hedhur poshtë argumentin e deputetit Dehri dhe zyrtarëve të LV-së të cilët po pretendojnë së aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 flet për mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit.
“Prandaj, mënyra se si po vepron z. Dehari është uzurpim absolut i postit të kryetarit të Kuvendit, sepse ai faktikisht po e luan rolin e kryetarit të Kuvendit. Nuk mund të zhvillohet debat, nuk mund të bëhen mocione procedurale. Mbi të gjitha aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese flet për mënyrat e votimit. Nuk flet për votimin e fshehtë mënyrë të veçantë dhe nuk flet se kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë siç po e interpreton ai”, ka deklaruar Hasani.
Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse veprohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Me e kthyer çështjen në agjendës siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. E ajo agjendë është caktuar me 8 prill. Me e caktuar një kandidat, pra zonjën Haxhi, nëse disa herë nuk zgjidhet, me i mbledh vendimet dhe me e adresuar çështjen në Gjykatë Kushtetuese, nëse nuk ka vullnet politike. Këtu dy rrugë janë, ose vullneti politik ose Gjykata Kushtetuese. Nuk mund ta zgjedh askush tjetër”, ka thënë ai.