Avokati i Popullit: ​Institucionet të jenë të kujdesshme, s’do ketë tolerancë aty ku shkelet ligji

18 tetor 13:38

Avokat i Popullit, Naim Qelaj, vlerëson se përzgjedhja në pozita të larta shtetërore, qoftë në sistemin e drejtësisë por edhe në ekzekutiv duhet të përmirësohet.

Qelaj i cili ka më pak se një muaj që është në krye të këtij institucioni, thotë se kandidimet nuk duhet të bëhen nga persona që mund të ndikojnë në proces.

Në një intervistë për “KosovaPress”, ndër të tjerash,Qelaj ka folur edhe për të kaluarën e tij politike.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj derisa ka komentuar tërheqjen e Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian nga procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore, ka thënë se ndajnë shqetësimet e njëjta në këtë drejtim.

Ai ka shtuar se qytetarët kanë nevojë ta rrisin besueshmërinë te institucionet ligjvënëse me qëllim që mos të hezitojnë t’i adresojnë shqetësimet e tyre.

“Konsideroj se praktikat e përzgjedhjes dhe rekrutimit në pozita të larta shtetërore, pavarësisht që a janë në gjyqësor apo ekzekutiv, duhet të përmirësohen sepse vetëm kështu ne mund të kontribuojmë fuqizimit të zbatimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe padyshim që ndoshta është njëra prej segmenteve më të rëndësishme, sepse përmes këtyre zgjedhjeve po ndikohet në besimin e qytetarëve nëpër institucione. Çështja e të drejtës për kandidim është e drejtë e pamohueshme, duhet ta ketë secili qytetar që i plotëson kushtet ligjore për pozitën që bëhet shpallja, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm se këto kandidimet të mos bëhen nga persona që mund të ndikojnë në vetë proces”, ka theksuar Qelaj.

Avokati i Popullit ndër vite ka pranuar ankesa të shumta për konkurset publike e për këtë, Qelaj paralajmëron hetim të përgjithshëm.

“Duhet ta bëjmë një analizë më të thellë në këtë drejtim sepse konsideroj se në këtë aspekt qytetarët tanë ballafaqohen me probleme të shumta në mos respektimin e të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës, sidomos vlen me cek sektorin privat, por edhe në sektorin publik nuk qëndrojnë punët më mirë edhe përkundër avancimit të ligjit ka pasur ankesa të shumta në institucion. Kam arritur të kuptoj se mos respektimi të institutit të konkursit publik që lidhet drejtpërdrejt me kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit dhe në anën tjetër me përzgjedhjen e personit që i plotëson ato kritere duke qenë të ndikuar nga jashtë. Ndoshta në këtë drejtim duhet institucioni në të ardhmen me fillua me bë një hetim të përgjithshëm dhe me ardhur në një konstatim të përgjithshëm për gjendjen”, ka thënë Qelaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka…