
Avokatët kërkojnë që gjykatat të rifillojnë punën pas 1 qershorit
Pandemia ka detyruar Këshillin Gjyqësorë të Kosovës (KGjK) të sjellë vendim që gjykatat e Kosovës mos ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Tani avokatët konsiderojnë që koha për rifillim e punës së gjykatave është data 1 qershor, kur edhe fillon faza e tretë lehtësuese.
Avokati Tomë Gashi, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se nëse KGjK-ja, nuk e sjellë një vendim për hapjen e gjykatave, klientët do të dëmtoheshin.
“Tani është koha kur janë lehtësuar masat me vendimin e Qeverisë, që data e fundit që do të duhej që gjykatat tona të rifillonin punën ashtu siç ka qenë më parë, do duhej prej 1 qershor. Nëse kjo datë nuk respektohet dhe Këshilli Gjyqësorë nuk e sjellë një vendim që gjykatat të rihapen, besoj që klientët do të dëmtoheshin”, ka deklaruar ai.
Gashi ka thënë se afatet nuk mund të humbasin nga kjo kohë. “Sa i përket afateve ligjore, askush dhe asgjë nuk humb nga qytetarët e Kosovës, të cilët kanë lëndë të caktuara në gjykatë, mirëpo ajo që mund të humb janë rastet kur klientët tanë gjenden në paraburgim dhe situatat të tilla janë jashtëzakonisht të rënda për shkak se ata presin që të shkojnë dhe të zhvillojnë gjykimet ndaj tyre, duke pretenduar se situata mund të ndryshojë, pra kjo mund të jetë dëmi më i madh që ka mund të shkaktohet”, ka deklaruar Gashi.
Se gjykata duhet të fillojnë punën e thotë edhe avokati tjetër, Burim Halili. “Unë pres dhe kjo duhet të bëhet patjetër, së paku të fillojë puna nga 1 qershori. S’do të thotë se menjëherë mund të caktohen seancat, sepse është një afat kohorë ku duhet palëve t’iu dërgohet ftesat dhe të përgatiten për seanca por të paktën të fillojnë me dërgimin e ftesave për seancë gjyqësore”, ka deklaruar Halili.