“Avokatët nga Kosova nuk mund të ushtrojnë profesionin në Gjermani”

12 gusht 2023 | 19:06

Avokatja Xhevahire Kloppner ka thënë se lajmi të cilin ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e dha se avokatët kosovarë do të mund të punojnë në Gjermani, nuk është i vërtetë.

Ajo ka shkruar në Facebook se akti juridik që i është referuar Ajeti, specifikon se “persona që dëshirojnë të punojnë apo kryejnë shërbime juridike, e që nuk vlen vetëm për avokatë, duhet patjetër të pranohen dhe aprovohen nga dhoma e avokatëve gjerman”.

Sipas saj, që të pranohesh në këtë dhomë, duhet që avokatët të kenë një diplomë avokatie që është e kryer në Gjermani ose në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Pasi që avokatët nga Kosova e kanë kryer shkollën edhe kanë studiuar sipas ligjit të Kosovës, ata rrjedhimisht nuk munden me e ditë ligjin gjerman, edhe si të tillë nuk munden me punu si avokat në Gjermani. Kjo do të thotë që Parlamenti nuk mundet me një deklaratë politike ose me një vendim të thjeshtë me marrë vendim që të pranohen diplomat e avokatëve, por vendos Ministria e Drejtësisë për atë punës sipas rastit”, ka shkruar ajo.

Ka shtuar se neni 3, paragrafi 1 dhe 2 i të njëjtit akt thotë si përmbledhje se “ofruesit e shërbimeve juridike, jo domosdoshmërisht si avokat, munden të ofrojnë shërbime që kanë lidhje me ligjin dhe të drejtën e shtetit të tyre, d.m.th. shtetit prej nga janë”.

Ka deklaruar se avokatët nga Kosova nuk mund të shkojnë automatikisht në Gjermani dhe të nisin punën si avokat.

“Avokatët nga Kosova munden sipas ligjit ekzistues, më së shumti, me ofru shërbime të përkohshme këshillëdhënëse juridike, vetëm për lëndë që lidhen me ligjet e Kosovës, ose ligjet ndërkombëtare, dhe jo me ligjet gjermane direkt. Për shembull ndonjë rast emigrimi ose azili për shtetas të Kosovës ose ndonjë rast penal i kryer në Kosovë, kur i dyshuari ikë në Gjermani. Edhe me bë punë këshillëdhënëse, duhet të pranohet e licencohet nga Oda e Avokatëve gjermanë gjë që është gati 99% e pamundur” ka shkruar ajo.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë praktikimi i ligjit gjerman kërkon diplomë nga ky vend.

“Derisa avokatët kosovarë lejohen të punojnë në Gjermani, praktikimi i ligjit gjerman kërkon një diplomë përkatëse. Ky kusht mbetet për përfaqësimin e klientëve në gjykatat gjermane”, ka shkruar ai në Twitter.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në Facebook më 10 gusht, ka thënë se avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania

“Tani e tutje, avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare. Të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike. Ky kapitull i ri ofron një mundësi të jashtëzakonshme, që dija dhe përvoja e avokatëve kosovarë të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të integrimit juridik, përkatësisht të përshtatmërisë së kuadrit ligjor të avokatisë kosovare me atë gjermane dhe evropiane. Faleminderit Ministrisë Federale të Drejtësisë për besimin e vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës!”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar edhe sot në…