Avokati Fetahu: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, kushtetues
Avokati Faton Fetahu, ka thënë se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është plotësisht kushtetues.
Fetahu ka thënë se ka skaduar afati për zgjedhjen e presidentit.
“Është fakt i pakontestueshëm se ka dështuar zgjedhja e Presidentit brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Po ashtu, sipas tij është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditorë për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e presidentit, sipas nenit 82 (3), ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026.
“Presidenti nuk është zgjedhur dhe, për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Prandaj, dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues”, ka shkruar Fetahu, duke shtuar se zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre.



