Avokati i Popullit i shkruan letër Trendafilovës: Specialja po gjykon me prova të paligjshme nga Serbia

13 janar 2026 | 12:45

Dokumente të dyshimta që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe pas vitit 1999, një periudhë kur Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë, po përdoren si prova  nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo praktikë, e shoqëruar edhe me pranimin e librave dhe botimeve me kredibilitet të ulët si materiale provuese, ka ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë dhe besueshmërinë e procedurave gjyqësore.

Këto shqetësime janë ngritur nga Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, në një letër drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ai paralajmëron për shkelje të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese. Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si ‘libra të botuar’ që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues”, është thënë në letrën e Qelajt, e cila mbanë datën 30 dhjetor 2025.

Në letrën drejtuar Trendafilovës, Qelaj ka ngritur shqetësime edhe për kufizimet në komunikim, vizita familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit, duke paralajmëruar për shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut.

Në letrën e tij, Qelaj ka theksuar se procedurat që zhvillohen para Gjykatës Speciale, sipas vlerësimit paraprak të institucionit që ai drejton, paraqesin mangësi serioze në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një nga shqetësimet kryesore që ngre Avokati i Popullit është fakti se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, ndërsa veprimtaria e tyre, sipas tij, ka prodhuar perceptim të mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj vë në dukje se të gjithë të akuzuarit deri më tani janë të përkatësisë së njëjtë etnike, gjë që ngre dyshime serioze për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit, pa sqarime të mjaftueshme për publikun vendor dhe ndërkombëtar.

Gjithashtu, Avokati i Popullit, ka shprehur shqetësim të thellë për çekuilibrin procedural në proceset gjyqësore, duke theksuar se gjykata ka refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të mbrojtjes.

Sipas tij, një praktikë e tillë është jashtëzakonisht e pazakontë dhe rrezikon të minojë besueshmërinë e gjykimeve dhe parimin e gjykimit të drejtë.

Një kapitull i veçantë i letrës i kushtohet paraburgimit, ku Avokati i Popullit e ka cilësuar praktikën e paraburgimit të zgjatur dhe të pandërprerë për të gjithë të akuzuarit si problematike dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Ai ka theksuar se vlerësimi i rrezikut të ikjes si “i lartë” në mënyrë uniforme nuk është i arsyetuar bindshëm, sidomos duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe nuk ka prova konkrete për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.

Në përfundim, Avokati i Popullit, ka theksuar se kjo letër paraqet një nismë monitoruese në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv, me synim mbrojtjen e të drejtave themelore dhe garantimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.

Në Gjykatën Speciale është duke vazhduar të zhvillohet procesi gjyqësor ndaj liderëve krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këta të fundit janë arrestuar në muajin nëntor të vitit 2020 dhe janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë, ndërsa kanë deklaruar vazhdimisht se janë të pafajshëm.

Letra e plotë:

Prishtinë, 30 dhjetor, 2025

Znj. Ekaterina Trendafilova, Kryetare

Dhomat e Specializuara të Kosovës

Holandë

E nderuara znj. Trendafilova,

Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.

Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.

Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.

Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.

Gjithashtu dëshiroj të tërheq vëmendjen ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave. Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese.

Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si “libra të botuar” që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues.

Së fundi, dua të ritheksoj shqetësimet e mia të thella lidhur me mënyrën se si Dhomat trajtojnë paraburgimin. Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Ky vëzhgim paraqitet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv. Nga këndvështrimi im, është plotësisht në përputhje me parimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe synojnë të plotësojnë, e jo të dyfishojnë, përpjekjet e ndërmarra nga Ombudsman-i i institucionit tuaj. Prandaj, kërkoj që kjo letër të kuptohet si një nismë monitoruese që synon mbrojtjen e të drejtave themelore, të cilat përbëjnë garanci bazike dhe të pa-nënshtrueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Zyra ime mbetet e përkushtuar për t’i shqyrtuar më tej këto çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, parimore dhe objektive. Ne shprehim besimin tonë të vazhdueshëm se Gjykata do të sigurojë respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm në mënyrë të besueshme.

Sinqerisht,

Naim Qelaj

Avokat i Popullit

Republika e Kosovës

 

 

May be an image of textMay be an image of text

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Xherdan Shaqirit mund të jetë larg Baselit.…