Avokati i Popullit: Kompensimi i parave të Trustit nga qeveria, nuk përbën diskriminim

09 dhjetor 2020 | 11:46

Kompensimi i mjeteve nga Qeveria e Kosovës të 10 për qind të kursimeve për pjesëmarrësit që kanë nën 10 mijë euro në Fondin e Kursimeve Pensionale, në situatën aktuale nuk ka karakter diskriminues, thonë në institucionin e Avokatit të Popullit.

Ligji për rimëkëmbje ekonomike Covid-19 është votuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës dhe është shpallur në Gazetën Zyrtare më 7 dhjetor 2020, që nënkupton edhe hyrjen në fuqi të këtij legjislacioni.

Në bazë të këtij ligji, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshëm.

Kurse ata që kanë mbi 10 mijë euro, nuk do të rimburësohen.

Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë” nga institucioni i Avokatit të Popullit, duke iu referuar Kushtetutës se Republikës se Kosovës, tek neni për barazi para ligjit, thuhet se nuk parandalohet vënia e masave për mbrojtjen e grupeve që janë në pozitë të pabarabartë.

“Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato”.

“Në shikim të parë, pa u lëshuar në analiza të thella të çështjes, pa të cilat Avokati i Popullit nuk mund të deklarohet përfundimisht, vërehet se Kushtetuta lejon vendosjen e masave të veçanta, të përkohshme cilat janë të domosdoshme për të zbutur ose për të eliminuar pabarazinë faktike, për krijuar kushte më të favorshme për personat ose grupet të personave që gjenden në pozicion faktikisht të pabarabartë me të tjerët”, është thënë në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Në rastin konkret, thuhet në përgjigje, bëhet fjalë për rrethana emergjente si pasojë e pandemisë, që ka sjellë disa grupe të caktuara në pozitë të pafavorshme.

“Në rrethana të tilla, shteti është i obliguar që të ndërmarrë masa afirmative për të eliminuar apo së paku për ta zbutur pabarazinë faktike. Përderisa, masat e veçanta kanë për qëllim vendosjen e barazisë dhe janë të përkohshme, sipas Kushtetutës, përkatësisht këto masa nuk kanë karakter diskriminues”, është thënë në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai ka si mision të tij parandalimin e konflikteve të mundshme midis administratës publike dhe individit.

Ndryshe, më 11 dhjetor 2020, do të fillojë procesi i aplikimit për kontributpaguesit për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ky proces do të zhvillohet në mënyrë elektronike përmes një faqeje të veçantë të internetit, e cila tashmë është publikuar nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adil Gurgushka shpall te pavlefshme dëftesat e kl l - Vlll…