
Avokati i Popullit për gardianin që u bë prokuror në Hagë: Jotransparencë
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj tha se zhvillimet e fundit, përfshirë edhe rastin ku një gardian u shndërrua në prokuror, kanë ngritur dyshime për drejtësinë dhe pavarësinë e procesit.
Avokati i Popullit kërkoi monitorimin e seancave gjyqësore dhe një vizitë zyrtare te të paraburgosurit, të cilat deri më tani janë kufizuar.
“E përcjellim me disa çështje që paraqesin shqetësim edhe për ne, edhe për opinionin publik. Situatat e fundit, pas takimit që kam pasur me kryetaren e Gjykatës Speciale, natyrisht që i kanë ngritur këto shqetësime edhe në një dimension tjetër, sepse unë nuk kam arritur të marr përgjigje konkrete që kanë të bëjnë me drejtësinë e drejtë, me garancitë që duhet të ketë ky proces, me barazinë në paraqitjen e provave dhe pjesëmarrjen në procedurë. Po ashtu, edhe me çështjet që lidhen me pavarësinë e kësaj gjykate, sidomos në mes të hierarkisë institucionale, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe Avokatin e Popullit të kësaj dhome. Natyrisht që këto shqetësime mbesin edhe më tej, sepse nuk kam arritur të marr përgjigje adekuate për to”, tha Qelaj.
Ai komentoi edhe situatën e krijuar kur një gardian burgu u bë prokuror në Gjykatën Speciale, që ngjalli reagime të rrepta, përfshirë edhe Hashim Thaçin.
“Procesi i zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara është proces i veçantë i rregulluar me akte të brendshme dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara është një praktikë jo standarde të them të drejtën mënyra se si zgjedhen dhe si caktohen, është e mbështjellë me një jotransparencë dhe me një procedurë, e cila nuk është e zakontë, ngase gjithmonë gjyqtarët kanë një akt ceremonial të zgjedhjes përmes procedurave të hapura edhe përmes përzgjedhjes nga një autoritet më i lartë, siç është në Kosovë tek gjyqtarët e rregullt që presidenti i vendit i dekreton”, tha Qelaj.
Ndërsa sa i përket mundësisë së monitorimit të seancave gjyqësore nga Avokati i Popullit, Qelaj tha se kanë paraqitur një kërkesë Dhomave të Specializuara në fillim të prillit.
“Kemi marrë një përgjigje që seancat mund t’i monitorojmë si qytetarë të tjerë, pra si publik.
Ndërsa, na është pamundësuar t’i takojmë të gjithë të paraburgosurit për shkak të procedurave të brendshme, jemi në përgatitje të përsëritjes së kërkesës, dhe besoj që brenda vitit para përfundimit të procesit gjyqësor në shkallë të parë unë do të kem mundësi personalisht bashkë me ekipet tona profesionale dhe të vizitojmë të paraburgosurit të kemi një takim me mbrojtësin e viktimave, një takim me ekipet mbrojtëse dhe një takim me kryetarët e gjykatës dhe natyrisht monitorimin e monitorimit të seancave gjyqësor”, tha ai.