Avokati i serbit të dyshuar për krime lufte: Do ta ftojmë Kurtin si dëshmitar të mbrojtjes

09 gusht 2023 | 19:53

Policia e Kosovës para disa muajve kishte arrestuar Dragisha Milenkoviq, të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Pas seancës së mbajtur, avokati i tij, Dejan Vasiq ka deklaruar se “janë marrë vesh” që të dëgjohet një dëshmitar, dhe ky dëshmitar, sipas tij është kryeministri Albin Kurti.

Mediumi serb “Danas” raporton se Vasiq ka deklaruar që sot prokurori special dëgjoi deklaratën e Milenkoviqit, si i pandehur.

I dyshuari madje, sipas avokatit “i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, dhe kanë kaluar kohë në biseda” me Kurtin, gjatë kohës sa ky ishte në paraburgim.

“Sot prokurori special që vepron në Prishtinë e ka dëgjuar Dragisha Milenkoviqin si të pandehur dhe me këtë rast në bashkëpunim, që nga fillimi, më duhet të them se ka qenë i jashtëzakonshëm me prokurorin që vepron në këtë rast, jemi marrë vesh, gjegjësisht jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës të z. Albin Kurti, i cili ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda”, citohet të ketë thënë ai.

“Jam absolutisht i sigurt se kryeministri do të jetë i lumtur të shfaqet dhe shpresoj vetëm që kujtimet e tij për atë periudhë të jenë ende të freskëta”, ka theksuar avokati i Dragisha Milenkoviqit.

Dragisha Milenkoviq është arrestuar më 21 qershor të këtij viti.

Prokuroria Speciale e akuzon Milenkoviqin për krime lufte kundër popullatës civile në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999.

Për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviqit, me ditë të tëra ka pasur protesta para stacionit policor në Graçanicë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi është takuar me…