Avokati i Thaçit thotë se i vetmi problem për mbylljen e çështjes gjyqësore është dëshmia e Bislim Zyrapit

19 nëntor 2025 | 16:44

Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka thënë se i vetmi problem për të mbyllur çështjen e tyre është dëshmia e Bislim Zyrapit, për të cilin ata kanë bërë kërkesë që ta shtojnë në listën e dëshmitarëve të tyre.

“Në qoftë se ka një mocion jogojror ne edhe mund ta mbyllim, i vetmi problem që kemi ka të bëjë vetëm me W04752, që mund të na pengojë që ta mbyllim çështjen”, ka thënë Mishetiq.

Mishetiq ka theksuar se ka mundësi që mund të marrin dëshmi shtesë sipas Rregullës 153 dhe se nuk parashikojnë që të ofrojnë dëshmi shtesë me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kemi dëshmitarë shtesë por kemi mocion në bazë të Rregullit 153 dhe bazuar në atë mbase mund të duam të thërrasim dëshmitarë shtesë në bazë të Rregullës 153. Sa i përket dëshmive me shkrim, nuk parashikojmë që të ofrojmë dëshmi shtesë. Megjithatë, duam të kemi mundësinë që të shqyrtojmë atë që na ka mbetur nga lista e provave materiale”, ka thënë Mishetiq.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka thënë se planifikojnë që pas dy javësh të caktojnë datën për mbylljen e çështjes në këtë rast gjyqësor.

“Ne planifikojmë për datën e mbylljes rreth dy jave. Pas dy javësh. Pra, keni kohë të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Aiden Ellis, i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, ka thënë se nuk kanë ndodhje gjë dhe mbase ju duhen një deri në dy ditë për të dorëzuar listën e provave.

Trupi gjykues ka kërkuar një datë se kur mendojnë palët që të përfundojnë me çështjen, Mishetiq e ka përsëritur sërish çështjen me Zyrapin.

“Mund të them mbas zgjidhjes së çështjes së W04752. Në qoftë se na del se duhet ta thërrasim që të dëshmojë drejtpërdrejt, atëherë do ta bëjmë një gjë të tillë. Në qoftë se ka një vendim për mocionin tonë, atëherë e mbyllim menjëherë”, ka thënë Mishetiq.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka…