Avokati i Popullit kërkon që të përmirësohen kushtet e romëve

11 prill 2018 | 15:43

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë takimit me përfaqësuesit e komunitetit rom në lagjen e Romëve në Graçanicë, ka kërkuar një angazhim më të madh institucional në përmirësimin e kushteve të jetës së pjesëtarëve të komunitetit rom.

Duke folur për përkushtimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, Jashari ka theksuar nevojën e ndërgjegjësimit të shoqërisë për sfidat me të cilat përballet komuniteti rom.

Gjatë kësaj vizite, Avokati i Popullit ka vizituar edhe OJQ-në “VoRAE” (Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve) e cila ka një mandat për të mbështetur komunitetet e përmendura, përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, mbështetjes teknike dhe këshillave në fushën e punësimit, strehimit, arsimit dhe të drejtave njerëzore – civile.

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së, Isak Skenderi duke folur për aktivitet e organizatës, ka falënderuar institucionin e Avokatit të Popullit për përkrahje dhe bashkëpunim në realizimin e misionit, mbështetjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Duke folur për problemet me të cilët ballafaqohen pjesëtarët e këtyre komuniteteve, Skenderi ka folur për rastet e ndryshme të diskriminimit tek këto komunitete, rastet e personave të riatdhesuar, braktisjen e shkollimit, banimin si dhe sfidat rreth respektimit të kuotës lidhur me përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shërbimin civil të Kosovës.

Gjithashtu, Avokati i Popullit së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë vizituar edhe disa familje të komunitetit rom, ku janë njoftuar me problemet e tyre.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paul Pogba, mesfushori francez i Manchester United, iu ofrua Real…