
Avokati Qerkini: Trajtimi i të akuzuarve në Hagë nuk është i duhur
Lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku të akuzuarit nuk kanë pranuar të takohen me Avokatin e Popullit, Pietro Spera, ka folur avokati i akredituar pranë këtyre dhomave, Artan Qerkini.
Qerkini ka thënë se trajtimi që po u bëhet të akuzuarve nuk është i duhur.
“Mendoj se trajtimi nuk është i duhur, do të thotë të pandehurit plotësisht kanë të drejtë të vendosin në mënyrë të lirë se a dëshirojnë të takojnë Avokatin e Popullit apo jo.”
“Të gjithë të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët i kanë bërë disa ankesa tek Avokati i Popullit, por për fat të keq ato kanë hasur në vesh të shurdhër, nuk janë trajtuar me arsyetimin se Avokati i Popullit nuk mund të interferojë në procedura gjyqësore. Mirëpo, me ato ankesa nuk është kërkuar që Avokati i Popullit të interferojë në procedura gjyqësore, por është kërkuar nga Avokati i Popullit në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut të garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për fat të keq, Avokati i Popullit nuk është deklaruar lidhur me këto ankesa që i kanë parashtruar të akuzuarit dhe natyrisht që të akuzuarit me të drejtë kanë vendosur që Avokatin e Popullit ta mos e takojnë si shenjë indinjate për mosmarrjen e përgjigjeve në ankesat e parashtruara nga ana e tyre,” ka thënë ai në Dukagjin, transmeton Periskopi.
Ai gjithashtu ka folur lidhur me përfaqësimin e Fadil Fazliut, i cili po mbahet pranë këtyre dhomave në Hagë dhe është i përfshirë në akuzën e dytë kundër presidentit Thaçi dhe të tjerëve.
Tutje ai ka thënë se zyra e regjistrit kishte refuzuar kërkesën që të ishte bashkëmbrojtës i Fazliut me arsyetimin se Qerkini ka marrë pjesë në një bastisje tek një bashkëipandehur.
Qerkini ka thënë se refuzimi është bërë mbi bazë të një keqinterpretimi, pasi që sipas tij kyçja e tij nuk paraqet kurrfarë konflikti të interesit në procesin gjyqësor në cilësinë e mbrojtësit në anën e Fadil Fazliut.
Sipas Qerkinit po cenohet e drejta elementare e përzgjedhjes së mbrojtësit nga ana e të pandehurve.