Avokati serb e padit Vuçiqin për pjesëmarrje në “Sarajevo Safari”
Avokati Çedomir Stojkoviq ka dorëzuar sot në Prokurorinë për Krim të Organizuar në Beograd një kallëzim penal për krime kundër njerëzimit, lidhur me rastin e njohur nga opinioni si “Sarajevo Safari”.
Kallëzimi penal është paraqitur kundër personave të panjohur (NN), dhe kundër Aleksandar Vuçiçit, aktualisht president i Serbisë.
Sipas kallëzimit, Vuçiçi dyshohet se gjatë periudhës së kryerjes së këtij krimi ka qenë luftëtar vullnetar në formacionin e armatosur të komanduar nga Slavko Aleksiq, një njësi paramilitare që kontrollonte territorin prej nga – sipas pretendimeve – janë kryer veprimet e quajtura “snajper safari”.
Stojkoviq thekson në kallëzim se organizimi i sjelljes së qytetarëve të huaj për të qëlluar me snajper civilë të Sarajevës gjatë rrethimit, “për qejf dhe hobi, kundrejt pagesës”, nuk mund të realizohej pa bashkëpunimin e forcave të armatosura që kontrollonin zonën.
Në kallëzim thuhet se Vuçiçi, pavarësisht nëse ka marrë pjesë drejtpërdrejt ose jo, “duhej të kishte dijeni” për veprimtarinë, veçanërisht për shkak të lidhjeve të tij me Partinë Radikale Serbe, ku në atë kohë ai mbante postin e sekretarit të përgjithshëm. Komandanti Slavko Aleksiq ishte anëtar i kësaj partie dhe mbante titullin partiak “vojvodë”.
Sipas kallëzimit penal, ekziston dyshim i arsyeshëm se struktura të Partisë Radikale Serbe mund të kenë qenë të përfshira në organizimin e këtyre veprimeve.
Vuçiçi ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe prej vitit 1993 deri në 2008, çka sipas kallëzimit e bënte “operativin kryesor” të strukturave dhe aktiviteteve të partisë.
Kallëzimi pretendon se organizimi i udhëtimit të të huajve në Beograd, transferimi i tyre në kodrat përreth Sarajevës, pagesat financiare, shpërndarja e armëve dhe municionit, si dhe pozicionimi i tyre në zona të përshtatshme për qitje snajperi, “nuk mund të realizoheshin pa dijeninë e sekretarit të përgjithshëm të SRS, Aleksandar Vuçiç”.
Avokati Stojkoviq thekson se Prokuroria për Krime të Luftës në Beograd është e detyruar të nisë një hetim të plotë dhe të bashkëpunojë me prokurorinë e Milanos, e cila – sipas tij – tashmë ka hapur një procedurë lidhur me këtë çështje.



