Avokati serb: Hetimi ndaj Radoiçiqit në Beograd, ndryshe nga ai në Kosovë

24 janar 2024 | 08:15

Për gjithë çfarë ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator e mori përgjegjësinë Milan Radojiçiq.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe më 3 tetor u ndalua nga autoritetet serbe. Por Gjykata e Lartë në Beograd refuzoi kërkesën e Prokurisë për paraburgim.

Megjithatë, për krejt procesin e hetimit, avokati Luka Jovanoviq nga Serbia thotë se ende nuk ka informacione zyrtare.

“Ka shumë pak informacione zyrtare për këtë çështje. Asnjë person tjetër nuk është përmendur në hetim, dhe nuk është ofruar asnjë informatë shtesë në këtë aspekt as edhe pas lëshimit të arrestit nga INTERPOL-i. Z. Radoiçiq po hetohet në Serbi për bashkëpunim kriminal dhe mbajtje ilegale të armëve dhe eksplozivëve. Nga sa kuptoj, kjo është një pikëpamje goxha më ndryshe nga hetimi që po bëhet në Kosovë, e që është e kuptueshme. E cila po ndodh përkundër pengesave që Serbia ka me procedurat ligjore të nevojshme që duhen edhe vetëm për të filluar hetimet”, thotë ai për Tëvë 1.

Avokati gjatë kësaj bisede ka thënë që i gjithë hetimi për Banjksën është kthyer në çështje politike.

“Mund të thuhet që i tërë rasti i Radoiçiqit, dhe Banjska në tërësi, është një proces shumë politik. Rrethanat dhe procedurat normale, nuk duket se vlejnë në këtë rast, sepse shumë gjëra që duhej të bëheshin gjatë periudhës tremujore, nuk janë bërë” , thotw avokati serb.

Jovanoviq foli edhe për veprimin e kolegut të tij, Codomir Stojkoviq, i cili javën e kaluar bëri homazhe tek varrezat e Jasharve në Prekaz.

“Sa i përket gjestit të tij, mendimi është që kjo ishte bërë, si përkrahje për gjestin e Sandulloviçit dhe në një mënyrë të ekspozonte, atë që ai e shihte si hipokrizi nga autoritetet serbe. Sepse, siç e përmend ai shpesh, ai nuk është arrestuar, nuk është marr në pyetje, me sa e di është vazhdimisht nën dhunë psikike nga shërbimet sekrete. Por kjo në këtë rast specifik, mund të mos jetë, të themi, …nuk është aq drastike”, tha ai.

E në Beograd edhe çështja e zgjedhjeve bëri goxha bujë. Madje zgjedhjet në Serbi u përcollën me kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian, e për hetim të kësaj çështje avokati thotë që duhet angazhuar një prokuror special.

“Mendoj që akoma ka hapësirë për përshkallëzimin e situatës aktuale, sepse me kalimin e kohës, shkalla e aktiviteteve mashtruese, do të dokumentohet dhe dëshmohet edhe më shumë, e që do të jetë më vështirë të injorohet. Forumi për Siguri dhe Demokraci, kemi propozuar zgjedhjen e një prokurori special, që të hetojë të gjitha aktivitetet ilegale dhe mashtruese rreth zgjedhjeve”, tha ai.

Jovanoviq mendon se opozita serbe duhet të rrisë më shumë presionin për tu hetuar zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2023.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë ka qenë i ftuar ose fjalimet e…