Avokati serb: Vuçiqi e ka pranuar de facto përfshirjen në sulmin terrorist në Banjskë

30 qershor 2025 | 07:45

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka publikuar një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar drejtpërdrejt presidentin Aleksandar Vuçiq se po përdor pjesëtarë të një formacioni paramilitar, të lidhur me Milan Radojiçiqin, të cilët kishin marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Sipas Stojkoviqit, gjatë protestave të mbajtura mbrëmjen e djeshme në Beograd, përpara ndërtesës së Presidencës, për sigurinë e Vuçiqit janë përdorur persona që njihen si pjesëtarë të së njëjtës strukturë paramilitare që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një efektiv policor.

“Këta në foto janë ata! Ky është një pranim de facto i Aleksandar Vuçiqit se sulmuesit e Banjskë janë nën komandën e tij direkte,” shkruan avokati në postimin e tij ne Facebook.

Sipas dëshmisë së avokatit, një nga personat e njohur për pjesëmarrje në sulmin e Banjskës ka qenë i pranishëm edhe në protestën e djeshme, ku ka ndërhyrë mes qytetarëve pranë kordonit të policisë dhe ka nxitur dhunë, duke dhënë udhëzime për “strategjinë” e një sulmi të mundshëm ndaj policisë.

“E kam parë dhe dëgjuar me sytë dhe veshët e mi. Ky njeri sillej si komandant mes qytetarëve dhe po i nxitte të sulmonin policinë,” tha Stojkoviq.

Deklarata e avokatit vjen në një moment delikat diplomatik, kur edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar nga Uashingtoni se “Vuçiq kishte planifikuar një luftë të re në Kosovë”.

Këto zhvillime vijnë në sfondin e një vale të re protestash në Serbi, ku shumë qytetarë kanë publikuar pamje nga protestat ku duket qartë prania e individëve që janë identifikuar më parë si pjesëmarrës në aktet terroriste të shtatorit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova po përballet me një shkallë të lartë të emigrimit…