AVONET-i padit qeverinë për vendimin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026

03 nëntor 2025 | 11:29

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar padi ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.

Drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi, pas dorëzimit të padisë, ka thënë se ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Gashi ka theksuar se qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Në padinë e dorëzuar, AVONET-i thekson se qeveria në detyrë, me rastin e miratimit të vendimit në fjalë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore është jashtë kompetencave të një qeverie në detyrë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë ka hapur Librin e ngushëllimeve…