Azem Syla vendos pllakë përkujtimore në nder të Gjeneral Kudusi Lamës
Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Azem Syla, vendosi një pllakë përkujtimore në Vorë të Shqipërisë në nder të gjeneralit Kudusi Lama.
Në ceremoninë e organizuar, Syla theksoi rëndësinë historike dhe njerëzore të gjeneralit Lame, duke e përshkruar atë si “një shtyllë të rëndësishme të luftës sonë çlirimtare”. Ai shtoi se gjeneral Kudusi Lama, ndonëse mbante gradën e gjeneralit, mbi të gjitha ishte një ushtar i lirisë, që qëndroi i palëkundur pranë luftëtarëve dhe popullit në kohët më të vështira.
“Kontributi i tij në bashkimin e UÇK-së me Divizionin e Kukësit dhe mbështetja e palëkundur ndaj luftës çlirimtare do të mbeten pjesë e historisë sonë kombëtare. Me të drejtë u quajt ‘Babushi i UÇK-së’, sepse mbrojti me forcë, me besë dhe me përgjegjësi luftën tonë për liri,” deklaroi Syla.
Vendosja e pllakës, siç theksoi ai, është një simbol i vogël krahasuar me veprën e madhe të gjeneralit, por një dëshmi e qartë se sakrifica dhe përkushtimi i tij nuk do të harrohen.



