Azemi: As në Ministrinë e Punës nuk po respektohet paga minimale
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë me dije se punëtorët e sigurimit fizik dhe ata teknik të cilët punojnë në objektin e Ministrisë së Punës kanë marrë pagë më të vogël sesa paga minimale që ka ndryshuar nga 1 janari sipas vendimit të qeverisë.
Përmes një njoftimi për medie, Azemi ka thënë po ashtu që sot, më 10 mars, këta punëtorë ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin shkurt, “që sipas të gjitha gjasave do të ju ofrohet e njëjta pagë”.
“Është krijuar një kaos i vërtetë në shumë spitale të Kosovës dhe në shumë ministri pasi punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin paraprak. Fajtor sipas deklarimit të pronarëve të kompanive janë ministritë përkatëse dhe kuvendet komunale pasi që këto nuk ua kanë alokuar mjetet e nevojshme kompanive që kryejnë shërbime për institucione publike dhe komunale”, ka njoftuar Azemi.




