Azemi: Këtë vit 26 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës

15 tetor 2025 | 17:10

Deri në muajin tetor të këtij viti, sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, 26 punëtorë kanë gjetur vdekjen në vendin e punës, por të dhëna të tjera kanë në Inspektoratin e Punës. Sipas tyre, brenda kësaj periudhe kohore 13 punëtorë kanë vdekur në vend të punës, ndërsa kanë ndodhur 412 aksidente. Këto të dhëna janë bërë me dije në Konferencën e 11-të Ndërkombëtare me temën “Siguria në punë dhe në transport – qasje e integruara për zhvillim të qëndrueshëm dhe për mbrojtjen e jetës” të organizuar nga Kolegji “Tempulli”, AMRKS-ja dhe Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka  deklaruar se qeveritë e deritanishme nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e punëtorëve në sektorin privat. Azemi ka theksuar se deri në këtë periudhë të vitit 2025, 26 punëtorë e kanë gjetur vdekjen në vendin e punës. “Shifrat janë të tmerrshme. Ne kemi biseduar edhe për raportet pse tek inspektorati del 8 punëtorë e tek ne tjetër në vitin 2025 kemi 26 raste të vdekjeve në punë. Ne konsiderojmë se në momentin kur një punëtor nis të shkojë në punë dhe prej punës shkon në shtëpi, ne e konsiderojmë se është në orar të punës dhe Inspektorati i Punës, nëse një punëtor sot lëndohet në pallat dhe nuk vdes dhe vdes në QKUK, këta nuk e konsiderojnë si rast i vdekjes”, ka thënë ai.

Ndërsa udhëheqësi i divizionit ligjor pranë Inspektoratit Qendror të Punës, Arton Çerkini, ka thënë se, sipas të dhënave të tyre, deri në këtë periudhë të vitit 2025 kanë vdekur 13 punëtorë në vendin e punës, ndërsa kanë ndodhur 412 aksidente në punë, prej tyre 305 janë të rënda. Ai ka thënë se tashmë 32 inspektorë janë kategorizuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe përpunimit janë punët me rrezikshmërinë më të lartë në vend.

Në anën tjetër, drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Mehmet Krasniqi, ka thënë se siguria në vendin e punës dhe në rrugë nuk është luks, por nevojë jetike. Ai ka shtuar se shumë punëtorë në Kosovë punojnë pa mbrojtje të mjaftueshme dhe pa trajnime adekuate.

Më tutje, shefi i kabinetit i ushtruesit të detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Berat Ganiqi, ka thënë se përmirësimi i sigurisë rrugore vazhdon të jetë sfidë e madhe. Referuar të dhënave të Inspektoratit të Punës gjatë vitit 2024, kanë ndodhur shtatë vdekje në vendin e punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, përmes…