Azemi paralajmëron ndërprerje pune për kompanitë që nuk zbatojnë pagën minimale
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se nga 1 janari i këtij viti paga minimale në Kosovë duhet të jetë 425 euro, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke paralajmëruar masa sindikale ndaj kompanive që nuk e zbatojnë këtë vendim.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se gjatë muajit dhjetor dhe deri në mesin e janarit, sindikata ka njoftuar të gjitha kompanitë dhe institucionet që pagat nën 425 euro duhet të rregullohen sipas vendimit qeveritar.
“Gjatë muajit dhjetor deri në mesin e janarit kemi paralajmëruar të gjitha kompanitë dhe institucionet që pagat nën 425 euro duhet të bëhen 425 euro, konform vendimit të Qeverisë së Kosovës. Pra, paga minimale tani, nga 1 janari deri më 1 korrik, është 425 euro, ndërsa nga 1 korriku do të jetë 500 euro. Në njëfarë forme, ne nuk jemi pajtuar plotësisht, por është nxjerrë një vendim që duhet respektuar”, tha ai.
Ai bëri të ditur se aktualisht vetëm një kompani e ka shkelur këtë vendim, ndërsa për kompanitë e tjera tha se ende është herët të flitet.
“Tani për tani kemi vetëm një kompani që e ka thyer këtë vendim, sepse për kompanitë e tjera është herët të flasim. Duhet të presim datën 5, eventualisht 6 shkurt, dhe të shohim sa kompani janë duke e respektuar këtë vendim dhe sa jo. Të gjitha ato kompani që nuk e bëjnë pagën në këtë shumë do të kenë një afat njëjavor. Në të kundërtën, ne jemi të obliguar, në bazë të vendimit të kryeministrit, ta ndërpresim punën derisa të bëhet pagesa shtesë, gjegjësisht pagesa prej 396 euro, që i bie pagë neto për secilin punëtor”, tha Azemi.
Duke folur për nivelin e pagës minimale, ai theksoi se sipas kalkulimeve të sindikatës, kjo pagë nuk i mbulon shpenzimet minimale jetësore të një familjeje.
“Realisht, sipas një kalkulimi që kemi bërë, shpenzimet minimale për një familje me katër anëtarë nuk mund të mbulohen me këtë shumë sa është paga minimale. Megjithatë, qeveria ka marrë një vendim të njëanshëm. Së paku do të duhej të kishte një fazë kalimtare duke filluar nga 600 euro, por megjithatë kjo është situata aktuale dhe ne duhet ta respektojmë deri në një ndryshim tjetër”, tha ai.



