Babai i Granit Xhakës dhe Igli Tare në Milano – Transferimi i mesfushorit drejt “Rossonerëve” gjithnjë e më afër

20 qershor 2025 | 19:23

Granit Xhaka është shumë pranë një transferimi të bujshëm nga Bayer Leverkusen te Milan. Burime pranë klubit italian bëjnë të ditur se trajneri Massimiliano Allegri ka kërkuar përforcime me përvojë në mesin e fushës, dhe drejtori sportiv Igli Tare është vënë menjëherë në lëvizje për ta realizuar këtë dëshirë.

Së fundmi, në mediat italiane është publikuar një video që konfirmon seriozitetin e bisedimeve – në pamjet e publikuara shihet babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka, së bashku me Igli Taren dhe një përfaqësues të Milanit duke hyrë në zyrat e klubit në Milano.

Milan është i vendosur të ndërtojë një mesfushë të fortë për sezonin e ardhshëm, dhe përveç Xhakës, në orbitën e klubit është edhe emri i madh i futbollit botëror, Luka Modriç. Marrëveshja me kroatin thuhet se është arritur prej kohësh, dhe pritet që ai t’i bashkohet kuqezinjve pas përfundimit të Botërorit për Klube, ku aktualisht është i angazhuar me Real Madridin.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Milani mund të ketë një dyshe mesfushore të kalibrit të lartë me Granit Xhakën dhe Luka Modriçin, teksa synon rikthimin në majat e futbollit evropian.

https://www.facebook.com/share/r/1CFYr3r7JG/?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me atmosferë festive u përmbyllën sot Ligat Universitare, në të…