Babaj nga Prishtina e Re te Milani
Mesfushori i talentuar i Prishtinës së Re, Aron Babaj, e ka bërë hapin e madh në karrierën e tij, pasi është bashkuar me gjigantin italian, AC Milan.
Ekipi i Superligës së Kosovës, të martën ka njoftuar se Babaj do të jetë pjesë e skuadrës së njohur nga Italia.
“Talenti i lindur në vitin 2009 do të jetë pjesë e AC Milan, një projekt i dedikuar zhvillimit dhe rritjes së futbollistëve të rinj, ku do të vazhdojë rrugëtimin e tij në një nga klubet më të mëdha të futbollit botëror”, thuhet në njoftimin e Prishtinës së Re.
16-vjeçari me Milanin ka firmosur kontratë trevjeçare pasi llogarit si një futbollist i talentuar, i cili ka një të ardhme të ndritur.
Babaj, i cili është pjesë e Kosovës U17 dhe ka regjistruar 7 paraqitje në Superligën e Kosovës këtë sezon me fanellën e Prishtinës, tashmë do të jetë pjesë e strukturave zhvillimore të Milanit.



