
Bach, sportistëve: Vaksinohuni të mos humbisni ëndrrën olimpike
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, u ka kërkuar të gjithë sportistëve që të vaksinohen në momentin që ajo do të jetë e disponueshme.
Sipas numrit një të olimpizmit botëror, kryerja e vaksinës do të garantonte një event olimpik më të sigurt.
“Ne synojmë të bindim sa më shumë sportistë që ta kryejnë vaksinën. Jo vetëm sportistë, por edhe tifozë që dëshirojnë të ndjekin nga afër Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Japonia e ka kontrolluar mirë pandeminë, por situata në botë është ende shumë problematike”, ka thënë Bach.
“Çdo sportist duhet të kujdeset për shëndetin e tij dhe të kolegëve. Do të ishte një mëkat që ata të mungojnë në një Olimpiadë për shkak se infektohen pak kohë para garave. Ndaj, secili ka përgjegjësinë e tij për ta kryer vaksinën”, ka shtuar Bach.