Bahtiri thotë se Sveçla në tavolinë me Gjuriqin mbrojti Kosovën

08 dhjetor 2019 | 12:25

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherësh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj lajmit që zyrtari i kësaj partie Xhelal Sveçla ishte ulur në një tavolinë me shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Bahtiri përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se shumë zhurmë për asgjë.

Ai ka thënë se Sveçla ishte prezent aty edhe pse ishin prezentë përfaqësuesit e Serbisë, për ta përfaqësuar dhe mbrojtur Kosovën.

“Kjo është ajo që bëri mbrëmë e sot PDK-ja dhe veglat e saj mediale, pas prezencës së Xhelal Sveçlës në një konferencë ballkanike të ftuar nga miqtë ndërkombëtarë. Xhelali ishte prezent aty edhe pse ishin prezent përfaqësuesit e Serbisë, por këtë e bëri për ta përfaqësuar dhe mbrojtur Kosovën, sepse tash si parti fituese Vetëvendosje ka përgjegjësi edhe më të mëdha shtetërore. Por nuk ishte aty për ta ndarë Kosovën, siç bëri përpjekje PDK-ja dhe një pjesë tjetër e klasës politike të Kosovës për shumë kohë. Përderisa këta që po kritikojnë janë takuar fshehtazi për ndarjen e Kosovës deri në Mitrovicë, Xhelali mori pjesë në një takim zyrtar të organizuar nga miqtë ndërkombëtarë. Nuk mund ta kritikojnë Xhelalin e as LV-në këta që i falen Malit të zi 8200 hektarë tokë të Kosovës. Për dallim prej tyre, Xhelali nuk ulet për të biseduar ndarjen e Kosovës, sepse ai as nuk blihet e as nuk shitet, as nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, sepse është i pastër si loti në aspektin privat e zyrtar. PAN-it po i dhemb se marrëveshja për koalicion do të arrihet javën që vjen, andaj nuk po lë guri pa lëvizur për ta penguar formimin e Qeverisë Kurti. Njëjtë siç dështuan ta ndalin fitoren e LV-së, ashtu do të dështojnë ta pengojnë formimin e Qeverisë Kurti”, ka shkruar Bahtiri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri në detyrë Ramush…