Bahtiri: “Trepça” është keqpërdorur e keqmenaxhuar nga menaxhmentet e tij

02 mars 2020 | 14:47

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim zyrtarët nga Zyra e Prokurimit në “Trepça” Sh.A, Bajram Jashari, Jusuf Jusufi, dhe Naser Bajrami, të cilët janë larguar përkohësisht nga puna me datë 20 dhjetor 2019, nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Basri Ibrahimi.

Në këtë takim zyrtarët në fjalë, kanë njoftuar kryetarin Bahtiri për shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin mbi largimin e përkohshëm nga puna të katër zyrtarëve të Zyrës së Prokurimit në ndërmarrjen “Trepça” Sh.A.

Zyrtari i Prokurimit në “Trepça” Sh.A, Bajram Jashari, theksoi se vendimi për largim të përkohshëm nga puna, ka ardhur si shkak i një tenderi për shujtat e punëtorëve të “Trepçës”, me ç’ rast ka fituar kompania “Beni Dona Plast” Sh.P.K, të cilin e ka përzgjedhur komisioni i përbërë prej pesë anëtarëve.

“Kryeshefi ekzekutiv Basri Ibrahimi së bashku me auditorin Kujtim Saraqi kanë bërë presion tek ne që ky tender ti jepet operatorit NTP “Verona”, e jo “Beni Dona Plast” Sh.P.K, dhe ne kemi vepruar në bazë të ligjit dhe nuk kemi lejuar të shfuqizohet vendimi i komisionit vlerësues. Ku me këtë rast pa ndonjë paralajmërim dhe me një vendim absurd duke u bazuar tek një gabim teknik, i cili është përmirësuar tek kontrata tjetër, si dhe pa vendim të komisionit disiplinor, kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës” ka marrë vendim të na largoj përkohësisht nga puna”, tha ndër të tjerash zyrtari i Prokurimit në “Trepçë”, z. Jashari.

Po ashtu i njëjti potencon se katër zyrtarët e larguar përkohësisht nga puna iu kanë drejtuar komisionit disiplinor me ankesë të bazuar, gjë që ata kanë vendosur për kthimin e tyre në punë, ku kryeshefi ekzekutiv Ibrahimi nuk e ka respektuar këtë vendim duke i larguar ata nga zyra.

Ndërsa kryetari Bahtiri pasi dëgjoi shqetësimet e zyrtarëve, tha se “Trepça” si kombinat i fuqishëm ekonomik është keqpërdorur e keqmenaxhuar nga menaxhmentet e tij, dhe se vendimet e tyre ishin më shumë politike se sa profesionale e zhvillimore për këtë ndërmarrje.

Gjithashtu kryetari Bahtiri kërkon nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të ketë ndikim dhe shtrijë autoritetin që ka, në mënyrë që të ndërmerren masa në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri…