Bajraktari mohon raportimin se po lobon për t’i zënë vendin Osmanit, i shpreh mbështetjen për mandatin e dytë
Aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka mohuar kategorikisht pretendimet e gazetarit Xhemajl Rexha se ai po lobon në Shtetet e Bashkuara kundër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe se synon t’ia zërë vendin në postin e shefes së shtetit.
“Artikulli i publikuar nga gazetari Xhemajl Rexha, në të cilin pretendohet se unë po loboj në Shtetet e Bashkuara kundër Presidentes Vjosa Osmani, është plotësisht i pavërtetë. E ftoj publikisht të paraqesë qoftë edhe një fakt të vetëm që dëshmon se unë kam punuar kundër Presidentes Vjosa Osmani, apo kundër ndonjë Presidenti apo Kryeministri të Republikës së Kosovës. Një pretendim i tillë është i pabazë dhe absurd!” – ka deklaruar Bajraktari.
Ai shton se ka qenë dhe mbetet mbështetës i Presidentes aktuale të vendit. “Unë e kam mbështetur publikisht Presidenten Vjosa Osmani dhe vazhdoj të qëndroj pas vlerësimit tim se, ajo është kandidatja e duhur për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës.”
Bajraktari më tej tha se angazhimi i tij politik dhe qytetar është i lidhur vetëm me forcimin e shtetit të Kosovës. “Gjatë gjithë jetës sime jam angazhuar për forcimin e institucioneve të Kosovës. Siç e kam theksuar edhe më herët, për mua KOSOVA ËSHTË MBI GJITHÇKA!”



