
Bajrami: Abdixhiku në takimin me presidenten jep detaje për një qeveri gjithëpërfshirëse
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në takimin me presidenten Vjosa Osmani, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do ta shpalosë më në detaje idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse.
“LDK-ja do të marrë pjesë edhe një herë në këtë proces. Kësaj radhe, kryetari do ta prezantojë idenë më në detaje, me mundësinë për ta argumentuar, sepse ne besojmë se kjo është zgjidhja më e mirë për momentin. Sa i përket afateve – nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave. Ne nuk kemi vendosur kushte dhe nuk kemi kërkuar dikastere. Thjesht, kemi argumentuar pse propozimi ynë është zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka thënë ajo.
Bajrami, ka deklaruar se Albulena Haxhiu nuk i ka votat e nevojshme për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka theksuar se LDK-ja ka refuzuar ofertën për një koalicion, duke ofruar në vend të saj një qeveri tranzicionale.
“Haxhiu nuk i ka votat. Nëse ata do të dëshironin me të vërtetë ta konstituonin Kuvendin e Kosovës, brenda 24 orësh seanca mund të thirrej çdo 10 minuta. Do ta kishin provuar edhe me 47 deputetët e tjerë dhe, nëse vërtet askund nuk do ta kishin mbështetjen, atëherë do të mund të flisnim ndryshe. Ata dëshirojnë fillimisht ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Ne kemi pasur ftesë ende pa u konstituuar që të hyjmë në marrëveshje politike me ta. Nuk e dimë se cilat janë idetë e tjera. Ne kemi një ftesë për një koalicion, por i kemi thënë jo një oferte të tillë. Ajo që kemi ofruar ka qenë një qeveri tranzicionale”, ka thënë Bajrami.